Berisha uron Vitin e Ri dhe bën bilancin e 2025: Do të mbahet mend si viti i zbulimit të vjedhjeve më të mëdha të Lubi Ballukut! AKSHI, skandali më i madh korruptiv i Europës

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka uruar qytetarët shqiptarë për Vitin e Ri 2026, duke bërë një bilanc të ashpër të vitit 2025, të cilin e cilëson si një vit skandalesh, vjedhjesh të mëdha dhe degradimi të demokracisë.

Në mesazhin e tij, Berisha thekson se viti që lamë pas do të mbahet mend për pasuritë marramendëse të zyrtarëve të lartë, përfshirë, sipas tij, Lubi Ballukun me qindra apartamente, jahte dhe biznese, si dhe për skandalin e AKSHI-t, që e quan “skandali më i madh korruptiv jo vetëm i Shqipërisë, por i Europës”.

Ai u shpreh se viti 2025 ishte një vit që shqiptarët nuk e meritonin, duke i përshkruar ata si qytetarët më të keqpaguar në Europë, me çmime të larta dhe pensione të ulëta, ndërkohë që drejtuesit politikë dhe administrativë, sipas tij, janë më të pasurit në kontinent.

Berisha deklaroi se ky vit do të mbahet mend edhe për zbulimin e vjedhjeve më të mëdha në historinë kombëtare, duke përmendur emra të drejtuesve të lartë politikë dhe lokalë, si dhe për burgosjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës pas një serie protestash.

Sipas tij, AKSHI u kthye në epiqendrën e krimit shtetëror, ku të dhënat personale dhe sekrete të qytetarëve shqiptarë përfunduan në duar kriminale, duke rrezikuar edhe sigurinë kombëtare. Ai akuzoi qeverinë për lidhje me kartelet e drogës dhe për manipulim të zgjedhjeve, duke e cilësuar vitin 2025 si vitin e konsolidimit të narkoshtetit.

Në fund të mesazhit, kreu i opozitës u shpreh se viti 2026 është një vit shprese dhe veprimi, duke ftuar qytetarët të bashkohen për të mbrojtur demokracinë, votën e lirë dhe familjen shqiptare.

“Me besim të plotë mund të themi se viti 2026 është viti i shpresës së madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët. Është viti në të cilin ata do të bashkohen si kurrë më parë për të shpëtuar demokracinë dhe për t’i dhënë fund kësaj rrokullisjeje,” u shpreh Berisha, duke e mbyllur mesazhin me urimin: Gëzuar Vitin e Ri 2026.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related