“SPAK duam drejtësi”, protestuesit rikthejnë thirrjet për dorëheqjen e Ramës në protestën e 25-të

Data

Protesta e 25-të radhazi kundër qeverisë është zhvilluar këtë mbrëmje në Tiranë, ku qytetarët kanë vijuar të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime të thella politike në vend.

Gjatë tubimit, protestuesit kanë përsëritur thirrjen e tyre kryesore për largimin e qeverisë, ndërsa kanë kërkuar edhe veprime konkrete nga institucionet e drejtësisë.

“SPAK duam drejtësi” ishte një nga sloganet më të dëgjuara gjatë protestës, teksa pjesëmarrësit kërkuan hetim dhe llogaridhënie për çështjet që, sipas tyre, kanë shkaktuar pakënaqësi të gjerë publike.

Qytetarët kanë shprehur mesazhet e tyre edhe përmes pankartave, ku nuk kanë munguar thirrje dhe mesazhe politike drejtuar qeverisë dhe klasës politike në tërësi.

Mes pankartave të shfaqura gjatë protestës ishin mesazhe si: “Atdheu nuk është në shitje”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe referenca ndaj deklaratave të fundit të kryeministrit në mediat ndërkombëtare.

Organizatorët e protestës kanë ritheksuar kërkesën e tyre për dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe krijimin e një procesi të ri politik, ndërsa pjesëmarrësit kanë vijuar të artikulojnë sloganin “Shqipëri e Re” si simbol të ndryshimeve që kërkojnë.

Tubimi u zhvillua nën masa sigurie dhe pa incidente, ndërsa protestuesit kanë paralajmëruar vijimin e mobilizimit edhe në ditët në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related