Marshimi i protestës qytetare në Tiranë vijoi mbrëmjen e së premtes duke u ndalur edhe përpara selisë së Partisë Demokratike, ku protestuesit shprehën pakënaqësinë e tyre jo vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj opozitës.
Gjatë ndalesës, pjesëmarrësit brohoritën thirrje si “Opozitë e shitur” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”, duke akuzuar klasën tradicionale politike për përgjegjësi në situatën e vendit.
Sipas organizatorëve, protesta synon të kërkojë ndryshim politik dhe llogaridhënie, ndërsa pjesëmarrësit deklaruan se nuk e shohin zgjidhjen vetëm te ndërrimi i qeverisë, por kërkojnë reformim më të gjerë të sistemit politik.
Marshimi vijoi më pas në rrugët kryesore të kryeqytetit, ku protestuesit mbajtën pankarta dhe flamuj kombëtarë, duke përsëritur kërkesat e tyre për dorëheqjen e kryeministrit dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira. Tubimi u zhvillua pa raportime për incidente të rëndësishme.
