Projektligji i ri për taksën e pasurisë në konsultim publik, Malaj: Mbrohen familjet dhe ruhet një nga normat më të ulëta në rajon

Data

Ministria e Financave ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin e ri për taksën mbi pasurinë e paluajtshme, një reformë që, sipas ministrit të Financave Petrit Malaj, synon të forcojë drejtësinë fiskale, të rrisë të ardhurat e pushtetit vendor dhe të mos rëndojë shumicën e qytetarëve.

Sipas Malajt, projektligji ruan një nga normat më të ulëta të taksimit në rajon dhe nuk parashikon rritje të barrës fiskale për pjesën më të madhe të familjeve shqiptare.

“Me këtë reformë forcojmë parimin e drejtësisë fiskale. Ata që zotërojnë më shumë prona do të japin një kontribut më të madh për zhvillimin e vendit, ndërsa banesa e parë dhe kategoritë në nevojë vijojnë të mbrohen”, u shpreh ministri.

Çfarë parashikon projektligji?

Projektligji parashikon:

  • 50% ulje të taksës për banesën e parë;
  • Individët që zotërojnë dy ose më shumë banesa përfitojnë uljen vetëm për një banesë;
  • Ndërtesat e papërfunduara do të tatohen me 30% të shkallës së taksës së kategorisë përkatëse.

Normat e propozuara të taksimit

Sipas projektligjit, nivelet e taksës do të jenë:

  • Ndërtesa banimi: 0.1% – 0.2%;
  • Ndërtesa për veprimtari ekonomike: 0.15% – 0.25%;
  • Tokë bujqësore: 0.05% – 0.15%;
  • Tokë pyjore: 0.05% – 0.15%;
  • Tokë truall: 0.075% – 0.175%;
  • Tokë për përdorime të tjera: 0.075% – 0.175%.

Më shumë të ardhura për bashkitë

Ministri Malaj theksoi se reforma synon gjithashtu të fuqizojë financiarisht pushtetin vendor, duke u krijuar bashkive më shumë mundësi për investime në:

  • infrastrukturë rrugore;
  • shkolla;
  • hapësira publike;
  • shërbime për qytetarët.

Ai shtoi se një pushtet vendor me më shumë të ardhura përkthehet në më shumë zhvillim dhe mirëqenie për komunitetet.

Sipas Ministrisë së Financave, për banesat me vlerë deri në 16.8 milionë lekë, niveli i taksës mbetet i pandryshuar edhe në projektligjin e ri, ndërsa drafti do t’i nënshtrohet konsultimit publik përpara miratimit përfundimtar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related