Ekspozita “Nëpër gjurmët e Tasos” që sjell rrugëtimin artistik të piktorit Anastas Kostandini

Data

Rrugëtimi artistik i piktorit Anastas Kostandini vjen përmes veprave të tij në një ekspozitë. Ekspozita “Nëpër gjurmët e Tasos” do të çelet nesër në mbrëmje në COD. Vizatime, grafika, pastele, akuarele, tablo kompozicionale, pikturë abstrakte, etj, janë pjesë e ekspozitës “Nëpër gjurmët e Tasos”. Ajo ka dhe objekte rekuizite nga artisti, tre albume me vizatime në formë ditari nga vitit 1972 e deri më tani. Ekspozita “Nëpër gjurmët e Tasos” në Qendrën për Hapje dhe Dialog-COD vjen e kuruar nga Rubin Kadiu, që shprehet se është një vallëzim nëpër peizazhet e gjalla të universit artistik të Anastas Kostandinit (Tasos), ku imagjinata ndërthuret me realitetin dhe emocionet kërcejnë nëpër telajo. “Kjo ekspozitë na fton të eksplorojmë sfera të njohura dhe fantastike të artistit dhe na udhëheq përmes një narrative të endur me simbolika, me ngjyra dhe teksturë, duke shpalosur thelbin e shpirtit të tij krijues e duke manifestuar ndikimin e thellë në skenën e artit bashkëkohor”, shprehet kuratori në tekstin e tij. Holli protokollar na pret të marrim pjesë në rrugëtimin artistik të Tasos, ku ai zhytet në sixhadenë e pasur të trashëgimisë së tij kulturore. Kuratori Kadiu shprehet se takimet e hershme me peizazhet e gjalla dhe mitologjinë e lashtë kanë ndezur pasionin e tij për artin. “I ndikuar nga veprat e mjeshtërve, si Picasso, Dali dhe Kandinsky, Tasojangulmon për të bashkuar traditën me të renë, duke i hapur rrugën stilit të tij të veçantë. Në zemër të veprës së Tasos qëndron një zbulim i thellë i simbolizmit, ku çdo goditje dhe nuancë mbart shtresa kuptimore. Kompozimet e tij shërbejnë si alegori pamore, duke i ftuar shikuesit të deshifrojnë narrativat e brendshme”, shprehet kuratori. Nga figurat enigmatike deri te peizazhet ndjellëse sipas tij, çdo vepër artistike shërben si një portal për psikikën e artistit, duke reflektuar vështrimin e tij introspektiv dhe mendimet filozofike për gjendjen njerëzore.

Bota unike e piktorit

Te salla “Tako artistin”, kuratori Rubin Kadiu shprehet se natyrshëm përfshihemi në botën unike të Tasos, nga ku gjejmë të përqendruar nëpër hapësirë thelbin e filozofisë për jetën, tregimtarinë pamore dhe mjeshtërore të artistit, si dhe intensitetin e dashurisë së tij për qenien njerëzore dhe vendlindjen. Në vijim thotë kuratori, përgjatë korridoreve dhe në “Sallën e takimeve” të COD-it, imagjinata e gjithsecilit prej nesh ndeshet me tematikat e shumta të artistit, të cilat i kapërcejnë kufijtë e sferës pamore, duke ngjallur emocione të brendshme dhe përvoja transhendente. “Paleta e tij shkon nga nuancat eterike të agimit deri te intensiteti i zjarrtë i muzgut,duke kapur bukurinë kalimtare të cikleve të natyrës. Në peizazhet surreale të imagjinatës së Tasos, realiteti mjegullohet nga fantazia dhe ëndrrat fluturojnë. Kompozimet e tij surrealiste sfidojnë kuptimet konvencionale të hapësirës dhe të kohës, duke i ftuar shikuesit të pezullojnë mosbesimin dhe të përqafojnë të habitshmen”, shprehet kuratori. Për kuratorin Rubin Kadiu ekspozita “Nëpër gjurmët e Tasos” është një dëshmi e fuqisë shndërruese të krijimtarisë dhe e thellësive të pakufishme të shprehjes njerëzore.

Diplomimi për pikturë monumentale dhe aktiviteti ndër vite

Anastas Kostandini (Taso) lindi në Pogradec, më 29 korrik 1954. Në vitin 1978 u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë (Pikturë Monumentale). Një nga punimet më të njohura ku Tasoja është bashkautor, është mozaiku “Albania” në Muzeun Historik Kombëtar. Në vitin 1991 iu dha titulli “Piktor i merituar”. Gjatë karrierës së tij, ai ka realizuar ekspozita vetjake si: ekspozita e parë në Pogradec (1983); ekspozitë në Pallatin e Kulturës, Tiranë (1986); ekspozita kushtuar Lasgush Poradecit në Durrës; “Bardhezi”, Pogradec dhe Korçë (1991); ekspozitë në Bukuresht (1998); ekspozitë në galerinë “Veve Center” Tiranë (1999); ekspozitë në Gorinheim, Holandë dhe Solingen (2001); “I pavdekshmi” (2007); “Kalaja e Argjiros”, Gjirokastër; “Palette”, Galeria e Arteve, Tetovë; “Peizazhi shqiptar”, Galeria e Arteve e Ministrisë së Kulturës, Prishtinë; “Onufri”, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë (2010). “Mikropolis”, Galeria FAB, Tiranë; “Palais de ‘Europe”, Strasburg (2014); “Monopat”, Galeria e Arteve Pogradec (2016); “Muzgje Arbërore” (2018); “Theme Rooms”, Lindenhof Nuremberg (2019); “Leben im Ubergang” (Jeta në provincë), Berlin (2019). Gjatë karrierës së tij ka marrë pjesë në ekspozita kolektive si në 1996 ekspozita kolektive në Chambery, Aix-les-Bains, Belley; ekspozita kolektive në Qendrën Kulturore, Tiranë, ekspozita e vjeshtës në “Galerinë XXI”, Tiranë. 2001: Ekspozita me artisten Lumturi Blloshmi, “Galeria XX”; ekspozita kolektive në sallën Le Notre, Muzeu i Luvrit, Paris.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related