Protestuesi: Jemi kundër Ramës dhe Berishës, kjo është revoltë qytetare kundër politikës së vjetër

Data

Ndërsa protesta qytetare kundër qeverisë vijon në Tiranë, një prej pjesëmarrësve në tubim, Arben Kola, ka deklaruar se lëvizja nuk është e drejtuar vetëm kundër kryeministrit Edi Rama, por edhe kundër ish-kryeministrit Sali Berisha dhe modelit politik që, sipas tij, ka dominuar vendin për më shumë se tre dekada.

Në një prononcim për mediat gjatë protestës, Kola u shpreh se pakënaqësitë e grumbulluara ndër vite nuk mund të zgjidhen menjëherë, por kërkojnë një angazhim të vazhdueshëm qytetar.

“Që nga dita e parë që ka nisur kjo protestë dhe i kam prirë, dua të them se problemet e 35 viteve nuk zgjidhen për 10 ditë. Ne jemi kundër dyshes që kanë marrë peng vendin, jemi kundër dyshes Rama-Berisha”, deklaroi ai.

Sipas protestuesit, mobilizimi qytetar ka marrë përmasa të gjera jo vetëm në Shqipëri, por edhe në komunitetet shqiptare jashtë vendit. Ai theksoi se protestat po zhvillohen në mënyrë të koordinuar në disa shtete ku jetojnë shqiptarë, duke e cilësuar këtë si një tregues të pakënaqësisë së thellë ndaj klasës politike.

Kola gjithashtu pretendoi se protestuesit po përballen me presione dhe tentativa për ndikim politik.

“Po të dihej se kush është organizatori, do ta kishin kapur. Por duke qenë se është vullnet popullor, nuk kanë çfarë të bëjnë. Shantazhet dhe kërcënimet më të mëdha vijnë nga njerëz pranë opozitës”, u shpreh ai.

Protesta e ditës së 12-të po zhvillohet në qendër të Tiranës, ku qytetarët kanë nisur grumbullimin në Sheshin “Skënderbej” përpara marshimit drejt Kryeministrisë. Organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë deklaruar se tubimet do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave të tyre politike dhe qytetare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related