Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të pajisë me formularin tip grupin nismëtar për mbledhjen e firmave të qytetarëve, me qëllim zhvillimin e një referendumi të përgjithshëm për çështje të rëndësisë së veçantë.
Grupi nismëtar kishte paraqitur kërkesën pranë KQZ më 22 dhjetor 2025, duke kërkuar nisjen e procedurave për organizimin e referendumit të quajtur “Pro Familjes”. Sipas nismëtarëve, qëllimi i këtij referendumi është mbrojtja e institucionit të familjes.
Në kërkesën zyrtare, Komiteti Nismëtar synon shfuqizimin e ligjit nr. 64, datë 6.11.2025 “Për barazinë gjinore”.
Gjatë mbledhjes së kësaj të hëne, KQZ vendosi t’i japë kohë shtesë grupit nismëtar për të riformuluar dhe sqaruar më qartë pyetjet që do t’i drejtohen qytetarëve në referendum.
Sipas ligjit, për zhvillimin e një referendumi kërkohen të paktën 50 mijë nënshkrime të zgjedhësve të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Zgjedhësve. Afati për mbledhjen e firmave është 60 ditë nga momenti i pajisjes me formularin tip.
