Protesta qytetare kundër qeverisë ka hyrë në ditën e saj të 12-të radhazi, ndërsa qytetarë nga Tirana dhe zona të tjera të vendit kanë nisur të mblidhen në Sheshin “Skënderbej” për të vijuar marshimin drejt Kryeministrisë.
Me sloganin “O sot o kurrë”, protestuesit po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar qeverisjen aktuale si përgjegjëse për korrupsionin, keqmenaxhimin dhe largimin masiv të qytetarëve nga vendi.
Organizatorët dhe pjesëmarrësit theksojnë se protesta ka tejkaluar tashmë kufijtë e një kauze të vetme dhe është shndërruar në një shprehje të pakënaqësisë së gjerë ndaj mënyrës së qeverisjes në vend. Sipas tyre, revolta qytetare është ushqyer nga perceptimi për rritjen e korrupsionit, mungesën e llogaridhënies dhe arrogancën e pushtetit.
Ndërsa tubimi po merr formë në qendër të kryeqytetit, pritet që protestuesit të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë, ku do të përsërisin kërkesat e tyre për ndryshim politik dhe mbajtje përgjegjësie nga drejtuesit e vendit.
Protesta e sotme vjen pas një serie tubimesh të përditshme që kanë tërhequr vëmendjen e opinionit publik brenda dhe jashtë Shqipërisë, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e mobilizimit qytetar edhe në ditët në vazhdim.
Sipas protestuesve, qëllimi mbetet i pandryshuar: largimi i qeverisë aktuale dhe hapja e një kapitulli të ri politik për vendin.
