Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, deklaroi se arsyeja kryesore që opozita vijon protestat është zemërimi i akumuluar i qytetarëve ndaj situatës politike dhe qeverisëse në vend.
Në një dalje televizive, Boçi u shpreh se opozita nuk proteston për interesa të ngushta politike, por si reflektim i revoltës qytetare që, sipas tij, po rritet çdo ditë si pasojë e një keqqeverisjeje të paprecedentë.
Ai theksoi se opozita ka rolin të përkthejë këtë zemërim në qëndrime dhe teza politike, duke i dhënë formë institucionale reagimeve që vijnë nga shoqëria.
“Në shoqëri, duam apo nuk duam, ekziston një vokacion protestues dhe revoltues ndaj gjithçkaje që po ndodh. Opozita e kapitalizon këtë reagim, e shndërron në tezë politike, por kjo nuk lind nga një boshllëk. Është zemërimi qytetar ai që e shtyn këtë reagim,” u shpreh Boçi.
Sipas tij, qytetarët kanë dalë në protesta për shkak të korrupsionit galopant, arbitraritetit në qeverisje dhe lidhjeve të pushtetit me krimin e organizuar, si dhe për një mënyrë qeverisjeje që, sipas Boçit, nuk është parë më parë në vend.
Boçi theksoi se protestat janë shprehje e drejtpërdrejtë e interesit qytetar dhe se opozita do të vijojë t’i mbështesë ato për sa kohë që vazhdon keqqeverisja dhe mungesa e përgjegjshmërisë nga ana e qeverisë.
