Akuza të reja janë ngritur ndaj ish-princit Andrew, pasi një tjetër grua ka pretenduar se është dërguar në Mbretërinë e Bashkuar nga Jeffrey Epstein për të kryer marrëdhënie seksuale me të. Kjo është gruaja e dytë që del publikisht me pretendime të tilla, duke e lidhur emrin e ish-princit me rrjetin e abuzimeve seksuale të Epstein.
Sipas avokatit amerikan Brad Edwards, i cili përfaqëson qindra viktima të çështjes Epstein, ngjarja dyshohet se ka ndodhur në vitin 2010, në Royal Lodge, rezidenca ku ish-princi Andrew jetonte në atë periudhë. Gruaja, e cila nuk është shtetase britanike dhe ishte rreth 20 vjeçe në atë kohë, pretendon se ka kaluar natën në Royal Lodge dhe më pas ka marrë pjesë edhe në një vizitë zyrtare në Pallatin Buckingham.
“Bëhet fjalë për të paktën një grua që u dërgua nga Jeffrey Epstein te princi Andrew. Pas një nate në rezidencën e tij, ajo mori pjesë edhe në një vizitë në Pallatin Buckingham,” ka deklaruar avokati Edwards.
Sipas tij, kjo është hera e parë që një e mbijetuar e çështjes Epstein pretendon se marrëdhënia seksuale ka ndodhur brenda një rezidence mbretërore. Identiteti i gruas nuk është bërë publik, ndërsa autoritetet mbretërore nuk kanë konfirmuar nëse ekzistojnë regjistra zyrtarë që mund të vërtetojnë praninë e saj në Pallatin Buckingham.
Mediat britanike raportojnë se i është kërkuar koment ish-princit Andrew, por deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e tij. Ai i ka mohuar vazhdimisht të gjitha akuzat që lidhen me Jeffrey Epstein.
Avokati Brad Edwards ka përfaqësuar më herët edhe Virginia Giuffre, e cila kishte deklaruar se ishte trafikuar nga Epstein për marrëdhënie seksuale me ish-princin Andrew. Andrew humbi titujt e tij mbretërorë në fund të vitit të kaluar, pas publikimit të deklaratave dhe materialeve të reja lidhur me këtë çështje, ndërsa u njoftua edhe largimi i tij nga Royal Lodge.
Në një deklaratë të mëparshme, Pallati kishte theksuar se masat ndaj Andrew u morën pavarësisht faktit që ai vazhdon të mohojë akuzat. Ndërkohë, pas publikimit të dokumenteve të tjera mbi çështjen Epstein, kryeministri britanik ka deklaruar se ish-princi Andrew duhet të japë shpjegime për lidhjet e tij me Epstein përpara autoriteteve amerikane.
