“Pa këto dy kushte s’ka zgjedhje!” Berisha i prerë: Me Ramën në qeveri votime nuk ka

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sqaruar kushtet e panegociueshme që, sipas tij, duhet të plotësohen që vendi të shkojë në zgjedhje. Në një konferencë për shtyp nga selia blu, ai theksoi se pa largimin e qeverisë aktuale dhe pa garanci për drejtësinë, procesi zgjedhor është i pamundur.

Berisha deklaroi se organizimi i zgjedhjeve duhet t’i besohet një qeverie teknike, e cila të garantojë një proces të ndershëm dhe të barabartë. Sipas tij, me Ramën në krye të qeverisë nuk mund të ketë zgjedhje të lira, një fakt që, siç u shpreh ai, është evidentuar jo vetëm nga opozita, por edhe nga faktorë ndërkombëtarë.

“Pa qeveri teknike për të përgatitur zgjedhje, në zgjedhje nuk shkohet. Me Ramën në qeveri nuk ka zgjedhje,” u shpreh Berisha, duke shtuar se opozita kërkon largimin e tij dhe ngritjen e një qeverie tranzitore që të administrojë procesin zgjedhor.

Ai theksoi gjithashtu se kushti i dytë thelbësor është mosbllokimi i drejtësisë. Sipas Berishës, çdo qeveri që ndërhyn apo pengon funksionimin e drejtësisë nuk ka legjitimitet politik dhe duhet larguar.

“Në kohën e duhur do të japim mendimet tona për përbërjen e qeverisë teknike. Por kushtet janë dy: qeveri teknike dhe drejtësi e lirë. Një qeveri që bllokon drejtësinë është për t’u hedhur në Lanë,” deklaroi ai.

Në këtë mënyrë, Partia Demokratike vendos qartë vijat e kuqe për pjesëmarrjen në zgjedhje, duke e bërë të qartë se pa këto kushte, procesi zgjedhor nuk do të njihet si i vlefshëm.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related