Gardhi metalik në Bulevard, Policia: Masë sigurie për ndeshjen Shqipëri-Izrael, jo për protestën
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka reaguar pas debatit të krijuar për vendosjen e gardhit metalik në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pak para nisjes së protestës kundër projektit në Zvërnec.
Në një deklaratë për mediat, Hita sqaroi se masat e marra nuk lidhen me protestën e paralajmëruar nga qytetarët dhe aktivistët, por janë pjesë e planit të sigurisë për ndeshjen ndërkombëtare mes Shqipërisë dhe Izraelit.
“Kjo pjesë është bërë për planin e masave të sigurisë, për ndeshjen me Izraelin. Ky është plan masash. S’do të bëjmë ndryshime”, deklaroi kreu i Policisë së Shtetit.
Deklarata vjen në një moment kur qindra qytetarë janë mbledhur në qendër të Tiranës për ditën e katërt radhazi të protestave kundër projektit të investimit në Zvërnec, ndërsa pritet të marshojnë drejt Kryeministrisë.
Vendosja e gardhit metalik në bulevard ka ngjallur reagime dhe diskutime në rrjetet sociale, me disa protestues që e kanë interpretuar si masë paraprake për tubimin qytetar. Megjithatë, Policia këmbëngul se bëhet fjalë për një plan sigurie të hartuar më herët në kuadër të organizimit të ndeshjes Shqipëri-Izrael.
