Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, iu bashkua sot protestës së banorëve të Velipojës përpara SPAK, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e resortit luksoz të Bashkim Ulajt në zonën e Rrjollit.
Muçi deklaroi se banorëve po u rrëmbehet prona në mënyrë të paligjshme dhe se pas kësaj situate, sipas tij, qëndron firma e kryeministrit Edi Rama dhe e zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Ai theksoi se çështja nuk është thjesht politike, por një shkelje e hapur e ligjit dhe e të drejtës së pronës.
“Ky popull kërkon drejtësi. Po u rrëmbehet prona me firmën e Ramës dhe Ballukut. Çdo kush që e quan veten opozitar duhet të ishte sot këtu, në krah të këtyre njerëzve, jo vetëm të bëjë deklarata apo të kërkojë dorëheqje në distancë,” u shpreh Muçi.
Ai kritikoi edhe mungesën e pranisë së deputetëve të tjerë opozitarë, duke theksuar se mbështetja për qytetarët duhet të jetë konkrete dhe jo vetëm retorike. Sipas Muçit, ndërtimi po vijon pa vendim gjykate dhe në kundërshtim me ligjin.
Deputeti deklaroi se Lëvizja Bashkë do të qëndrojë në krah të banorëve në çdo hap ligjor që ata do të ndërmarrin, përfshirë dërgimin e kërkesave dhe shkresave zyrtare për sqarimin e situatës.
Banorët e Velipojës vijojnë protestën duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të punimeve dhe hetim të plotë nga SPAK për atë që ata e cilësojnë si grabitje të pronës me mbështetje politike.
