Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka reaguar për ndarjen nga jeta të Ahmet Omit, duke e cilësuar atë si një nga personalitetet më të rëndësishme të jetës politike dhe shoqërore të Shkodrës.
Në mesazhin e tij, Boçi shprehet se Shkodra humbi një figurë me vlera të spikatura njerëzore dhe qytetare, ndërsa thekson se këshillat e Ahmet Omit, të mbështetura në urtësi, edukim dhe përvojë të gjatë, ishin një pasuri për këdo që pati fatin ta njihte.
Sipas Boçit, Ahmet Omi, përfaqësues i familjes së njohur Omi në Shkodër, e nisi angazhimin politik me Partinë Demokratike që në fillimet e saj. Për shumë vite ai mbajti detyrën e sekretarit të Degës së PD-së në Shkodër, duke drejtuar procese të rëndësishme politike në periudha sfiduese për vendin.
Ai ka shërbyer gjithashtu si nënkryetar i Bashkisë Shkodër dhe ka drejtuar disa institucione publike, duke u vlerësuar si një shërbyes i përkushtuar ndaj komunitetit dhe interesit qytetar.
Në përfundim, Luçiano Boçi u shpreh ngushëllimet më të sinqerta bashkëshortes Mirjana, djemve Alban dhe Arion, si dhe gjithë familjarëve dhe të afërmve për humbjen e rëndë.
“Pushofsh në paqe”, përfundon mesazhi i deputetit demokrat.
