Në nisje të protestës së zhvilluar këtë mbrëmje përpara godinës së Kryeministrisë, Partia Demokratike ka ekspozuar pamje dhe materiale vizuale që, sipas saj, simbolizojnë akuzat për korrupsion ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Partisë Socialiste.
Në hapësirën para Kryeministrisë janë vendosur fotografi të disa figurave të mazhorancës, të cilët rezultojnë të jenë nën hetim ose të përfshirë në procese penale për vepra që lidhen me korrupsionin, pastrimin e parave apo shpërdorimin e detyrës. Fotografitë janë paraqitur në formë simbolike, me veshje që përfaqësojnë burgun, si pjesë e mesazhit protestues të opozitës.
Mes figurave të ekspozuara shfaqet edhe kryeministri Edi Rama, i vendosur në qendër të instalacionit, ndërsa në krah të tij janë paraqitur edhe disa zyrtarë dhe ish-zyrtarë të tjerë socialistë.
Ndër emrat e paraqitur është edhe Belinda Balluku, e pezulluar nga detyra me vendim gjykate, në kuadër të hetimeve që lidhen me procedurat e tenderimit për Tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe të Tiranës. Po ashtu, janë ekspozuar edhe figura të tjera të njohura të mazhorancës, aktualë ose të mëparshëm, të përfshirë në çështje penale në vite.
Përmes këtij veprimi simbolik, organizatorët e protestës synojnë të denoncojnë atë që e cilësojnë si kapje të shtetit dhe mungesë përgjegjshmërie përballë drejtësisë, duke e shoqëruar protestën me thirrje kundër korrupsionit dhe qeverisjes aktuale.
Protesta vijon nën masa të shtuara sigurie, ndërsa pjesëmarrësit kanë paralajmëruar vazhdimësi të aksioneve opozitare në ditët në vijim.
