Detaje të reja janë zbardhur lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur mesditën e sotme në zonën e Qafës së Llogarasë, ku një automjet u përfshi nga flakët dhe drejtuesi i tij humbi jetën.
Sipas informacioneve paraprake nga burime pranë hetimit, një nga pistat kryesore që po shqyrtohet nga autoritetet është ajo e vetëvrasjes. Dyshohet se viktima i ka vënë flakën automjetit që drejtonte, duke mos arritur të dalë prej tij.
Mësohet se viktima dyshohet të jetë banues në Berat, ndërsa identifikimi zyrtar ende nuk është konfirmuar, pasi pritet mbërritja e familjarëve për njohjen e trupit.
Burime hetimore bëjnë me dije se personi mund të ketë vuajtur nga probleme të shëndetit mendor, konkretisht depresion, megjithatë kjo mbetet ende në fazë verifikimi dhe do të konfirmohet vetëm pas përfundimit të hetimeve.
Në vendngjarje ndodhen grupi hetimor dhe shërbimet përkatëse, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Shkaqet përfundimtare të incidentit do të përcaktohen pas ekspertizës mjeko-ligjore dhe analizimit të provave.
Autoritetet kanë theksuar se hetimet janë ende në vijim dhe çdo përfundim mbetet paraprak.
