Deputeti i PD Luan Baçi, i ftuar në një studio televizive, tha se dhuna e përdorur në takimin e Ramës në Londër ishte e pafalshme dhe e paimagjinueshme, ku sipas tij kryeministri kishte marrë me vete patronazhistë dhe badigardë ministrash. Baçi tha se ata që kanë protestuar kundër Ramës, janë demokratë, por edhe opozitarë të tjerë që s’janë pjesë e PD.
I pyetur a ka dorë PD në protestën ndaj Ramës në Londër, Baçi tha:
“Nëse e kemi akuzuar se është në gjumë kjo s’është aspak e vërtetë, sepse PD këto 4 vjet ka qenë më e gjallë se kurrë, më në lëvizje se kurrë. Lidhur me takimet e Ramës në Britaninë e Madhe dhe kudo ku ka vajtur dhe do vejë, s’ka nevojë të ketë gisht PD në organizime të tilla. S’janë të organizuara nga PD, thjesht janë një reagim i qytetarëve, të demokrate në veçanti, ne s’fshehim aspak që janë demokratë. Por ka edhe qytetarë të tjerë, që janë opozitarë, ndoshta edhe socialistë, që janë larguar në kohën e qeverisë Rama dhe kanë mllefin e tyre për të reaguar”.
Baçi vuri në dukje se Rama shkoi në Britani “me një shpurë nga Shqipëria” dhe përdori një gjuhë linçuese ndaj opozitës, duke kërkuar deri zhbërjen e saj.
“Rama organizon takime duke vajtur me shpurë nga Shqipëria, me gjithë drejtues bashkish, drejtues të PS, deputetë. Gjuha që përdori ndaj PD-së, më bëri përshtypje kur tha betejë përfundimtare për zhbërjen e opozitës dhe krijimin e një opozite të re. Një kryeministër me një gjuhë të tillë linçuese për opozitën. I duhet një opozitë sipas mendjes së Ramës dhe jo siç e zgjedhin e qytetarët. Pse ai është kaq i shqetësuar të përdorë dhunë kundër qytetarëve? Dhuna është e pafalshme, e paimagjinueshme. E ka pasur të organizuar mbrojtjen me patronazhistë dhe badigardë të ministrave dhe të përdorë atë dhunë”.
Lidhur me protestën e nesërme Baçi tha që nëse policia do të provokojë protestuesit do të marrë përgjigjen që meriton.
“Jemi në mosbindje civile. Jemi në vazhdimësi të aksionit tonë politik. Mosbindja civile e nesërme është në këtë kuadër, të vazhdimit të aksionit politik të PD dhe të gjithë aleatëve. Mosbindja civile do jetë në Tiranë, në disa pika të caktuara. Për të treguar fuqinë e opozitës, për të sensibilizuar ndërkombëtarët që këtu s’ka demokraci, dhe zgjedhjet që do vijnë s’janë të lira dhe të ndershme me Ramën kryeministër. Policia dhe qeveria të mos provokojë protestuesit. Qytetarët janë shumë të zemëruar. Nëse na provokojnë do kenë përgjigjen që e meritojnë.
