Së paku 5 sektorë kryesore të ekonomisë ofruan pagë më të ulët se mesatarja në 3-mujorin e tretë të vitit 2024, duke sinjalizuar se as rritja ekonomike, as mungesa e punonjësve nuk po shtyn për lart pagat zyrtare në sektorët që kanë mungesë produktiviteti dhe ofrojnë punë për shumicën e të punësuarve.
Sipas të dhënave të INSTAT sektorët e bujqësisë, ndërtimit, tregtisë, transportit, aktivitetet e akomodimit, shërbimit ushqimor, industrisë dhe aktivitet të argëtimit kishin paga më të ulëta se niveli mesatar prej 77,6 mijë lekësh në tremujorin e tretë.
Në anën tjetër punonjësit në katër sektorë të tjerë, ku përfshihen aktivitetet e pasurive të paluajtshme, administrata publike, informacioni dhe komunikimi dhe aktivitet financiare kishin paga më të larta se mesatarja kombëtare.
Punonjësit e bujqësisë pozicionohen me keq. Pagat ndaj tyre ishin sa 65.6 % e pagës mesatare, të ndjekur nga sektori i ndërtimit me pagë mesatare mujore sa 78% e pagës mesatare. Të dy këto sektorë karakterizohen nga një nivel i lartë i informalitetit.
Në aktivitetet e tregtisë dhe shërbimeve me gjithë zhvillimet pozitive në turizëm, paga mesatare arriti 78.6% të pagës mesatare në tremujorin e tretë, ndërsa në sektorin e industrisë pagat ishin rreth 16 për qind më pak se mesatarja kombëtare.
