Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila pas një seance maratonë prej rreth 11 orësh la në fuqi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, vëmendja politike dhe institucionale është zhvendosur te Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit. Megjithatë, ende mbetet e paqartë se kur do të thirret mbledhja e këtij këshilli për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të saj.
Deri tani nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i cili sipas procedurës është autoriteti që duhet të thërrasë mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Kjo ka shtuar tensionin politik, pasi pas vendimit të Kushtetueses është rrëzuar edhe argumenti i mazhorancës për të pritur më tej një verdikt përfundimtar nga kjo gjykatë.
Menjëherë pas vendimit, Partia Demokratike kërkoi publikisht mbledhjen urgjente të Këshillit të Mandateve, duke theksuar se çdo vonesë përbën pengesë ndaj drejtësisë dhe hetimeve të SPAK.
Sipas analistëve, mbledhja e Këshillit duhet të zhvillohet brenda një kohe të shkurtër, pasi tashmë nuk ekziston asnjë pengesë procedurale. Në këto momente, kryeministri Edi Rama ndodhet në mbledhje të grupit parlamentar socialist, ku merr pjesë edhe Belinda Balluku, ndonëse ajo që prej mbrëmjes së së premtes është zyrtarisht e pezulluar nga detyra e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës.
Burime politike bëjnë me dije se brenda grupit socialist mund të ketë një orientim të qartë nga kryeministri lidhur me qëndrimin që do të mbahet në Këshillin e Mandateve, duke hapur disa skenarë: nga thirrja e shpejtë e mbledhjes dhe shqyrtimi formal i kërkesës së SPAK, deri te tentativa për shtyrje të mëtejshme përmes procedurave parlamentare.
Një ditë më parë, kryeministri Rama deklaroi se do të vijojë “betejën” për këtë çështje, duke kritikuar ashpër vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të cilin e cilësoi si një akt absurd. Ndërkohë, SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit të Ballukut për t’i hapur rrugë arrestimit, pasi ajo dyshohet për përfshirje në disa afera të rënda që lidhen me projekte infrastrukturore.
Në ditët në vijim pritet të shihet nëse Kuvendi do të veprojë në përputhje me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, apo nëse mazhoranca do të zgjedhë një tjetër strategji për të fituar kohë, duke e mbajtur çështjen pezull në një moment kritik për drejtësinë dhe integrimin europian të vendit.
