Protesta e 11-të kundër qeverisë, qytetarët thirrje për mobilizim në përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit

Data

Qytetarë dhe aktivistë kanë paralajmëruar zhvillimin e protestës së 11-të radhazi kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë, një tubim që këtë herë përkon simbolikisht me përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit, ngjarjes historike të 10 qershorit 1878.

Sipas njoftimeve të shpërndara nga organizatorët në rrjetet sociale, protestuesit pritet të mblidhen në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, për të vijuar më pas me një marshim drejt Kryeministrisë dhe rrugëve kryesore të kryeqytetit.

Në posterin promovues të protestës theksohet rëndësia simbolike e datës, ndërsa qytetarëve u bëhet thirrje të marrin pjesë në tubim. Organizatorët e lidhin këtë protestë me kërkesat e artikuluara gjatë ditëve të fundit, ku krahas kundërshtimit të projekteve të debatueshme në zonat e mbrojtura janë shtuar edhe kërkesa për ndryshime politike dhe institucionale.

Gjatë protestave të mëparshme janë dëgjuar vazhdimisht thirrje si “Rama ik” dhe “Jep dorëheqjen”, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se lëvizja do të vijojë deri në realizimin e objektivave të saj.

Nga ana tjetër, qeveria ka mbrojtur qëndrimin e saj lidhur me projektet e kundërshtuara dhe ka argumentuar se zhvillimi ekonomik dhe investimet strategjike duhet të ecin paralelisht me mbrojtjen e mjedisit dhe respektimin e standardeve ligjore.

Protesta e sotme pritet të zhvillohet nën masa të shtuara sigurie, ndërsa vëmendja mbetet e përqendruar te pjesëmarrja dhe mesazhet që do të përcillen nga organizatorët dhe qytetarët gjatë tubimit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related