Të famshëm, të shtrenjtë por që në Shqipëri gjithnjë i kanë shoqëruar pikëpyetje të shumta: a po përdoren nga pushteti për të ndihmuar rregullimin estetik të parave të pista që po depërtojnë në sektorin e ndërtimit?
Kontestimet e projekteve të kullave me dhjetëra kate që po mbijnë çdo ditë në kryeqytetin e Shqipërisë i preku gjatë konkursit ndërkombëtar “Bukë dhe zemër” edhe Winnie Mass, partner i studios holandeze MVRDV dhe mik i kryeministrit Edi Rama.
“Ne nuk jemi këtu të kënaqim këdo, ne jemi të gjejmë rrugët tona. Ju mund ta thoni është gabim ose mund të thoni: Ua, ky është një kontribut në identitetin e Europës”.
Shqetësimet që ngrihen nga aktivistët, ambientalistët dhe urbanistët – zëra që çdo ditë janë pakësuar në hapësirën publike shqiptare, nuk janë aq pavend.
Tirana është kthyer vitet e fundit në një qytet me kaos urban, ku përveç trafikut që rëndohet gjithnjë e më shumë dhe çon në kolaps transportin ditëve me shi, mungon struktura komunitare e shërbimeve sociale në lagje të reja, e në ato të vjetrat qendrat e shërbimeve publike nuk mjaftojnë.
