Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar paraditen e së mërkurës në afërsi të banesave të familjes Nikulaj në Lezhë, duke shkaktuar alarm në zonë dhe mobilizim të menjëhershëm të forcave të policisë.
Sipas të dhënave paraprake, shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar. Banorët e zonës kanë njoftuar autoritetet menjëherë pas dëgjimit të shpërthimit, ndërsa grupet hetimore kanë mbërritur në vendngjarje për të kryer veprimet procedurale dhe ekspertimet e nevojshme.
Policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, si dhe për të identifikuar autorët dhe motivet e mundshme të vendosjes së lëndës plasëse.
Burime paraprake bëjnë me dije se një person është ndaluar nga uniformat blu si i dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje. Hetuesit po verifikojnë rolin e tij të mundshëm dhe lidhjet që mund të ketë me shpërthimin.
Deri në këtë fazë të hetimeve nuk janë bërë të ditura detaje të tjera mbi identitetin e të ndaluarit apo motivet që mund të kenë çuar në ngjarje.
Autoritetet pritet të japin informacion më të plotë pas përfundimit të veprimeve të para hetimore dhe analizimit të provave të mbledhura në vendngjarje.
