Presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer kritikat ndaj kryeministres italiane Giorgia Meloni, duke publikuar një postim në rrjetin social Truth Social vetëm pak ditë para samitit të NATO-s që do të zhvillohet më 7 dhe 8 korrik në Ankara.
Trump shpërndau një fotografi të Melonit të shoqëruar me mbishkrimin: “Nevojitet një urdhër mbrojtjeje”, në një tjetër episod të përplasjeve publike mes dy liderëve.
Kjo nuk është hera e parë që presidenti amerikan sulmon kryeministren italiane. Pas samitit të G7, Trump pretendoi se Meloni kishte kërkuar të fotografonte me të, një deklaratë që u hodh poshtë nga kryeministrja italiane.
“As unë dhe as Italia nuk i lutemi askujt”, deklaroi Meloni në një reagim të publikuar në rrjetet sociale.
Postimi i fundit vjen në prag të samitit të NATO-s, ku pritet të diskutohen çështje të rëndësishme që lidhen me sigurinë euroatlantike, mbështetjen për Ukrainën dhe objektivin për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga vendet anëtare.
Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, është shprehur optimist për mbarëvajtjen e samitit, duke theksuar se vendet aleate do të respektojnë angazhimet e marra, megjithëse e cilësoi Trumpin si një faktor të paparashikueshëm në skenën ndërkombëtare.
Presidenti amerikan ka kritikuar vazhdimisht aleatët europianë për, sipas tij, nivelin e pamjaftueshëm të investimeve në mbrojtje, duke kërkuar që vendet anëtare të NATO-s të rrisin kontributet e tyre.
Ndërkohë, sipas raportimeve të disa mediave ndërkombëtare, përfshirë Politico, retorika e Trump ndaj partnerëve europianë interpretohet edhe si një përpjekje për të ushtruar presion në favor të rritjes së investimeve në mbrojtje, një zhvillim që mund të favorizojë industrinë amerikane të armatimit.
