“Propagandë dhe lëndë helmuese”/ Siguria ushqimore, PD akuza ndaj Ramës: 13 vite dështim dhe mungesë kontrolli

Data

Anëtari i kryesisë së Partia Demokratike, Grigels Muçollari, ka reaguar për çështjen e sigurisë ushqimore në Shqipëri, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të paraqitet si zgjidhje e një problemi që, sipas tij, është krijuar dhe thelluar gjatë qeverisjes së tij.

Në një deklaratë për mediat, Muçollari u shpreh se situata aktuale nuk është thjesht rezultat i vonesave, por një dështim i qëllimshëm i shtetit për të ndërtuar një sistem funksional të kontrollit dhe standardizimit të tregut ushqimor. Ai theksoi se për më shumë se një dekadë, tregu ka funksionuar pa standarde të qarta, pa gjurmueshmëri dhe pa mbikëqyrje efektive nga institucionet përgjegjëse.

Sipas tij, institucionet që duhet të garantonin sigurinë ushqimore janë kthyer në struktura formale, të përdorura për qëllime politike apo korruptive, ndërsa mungesa e kontrollit ka lejuar që produkte të ndryshme të qarkullojnë pa kriter. Muçollari shtoi se shqetësimet për këtë problem janë ngritur prej vitesh nga shoqëria civile, media dhe opozita, duke e cilësuar situatën si një plagë të vjetër dhe jo një çështje të re.

Ai kritikoi gjithashtu qasjen e qeverisë për të fajësuar fermerët dhe prodhuesit, duke theksuar se ata nuk janë problemi, por viktima të mungesës së politikave mbështetëse dhe të një sistemi funksional kontrolli. Sipas tij, pyetja kryesore është pse fermerët janë lënë pa mbështetje për 13 vite.

Muçollari theksoi se në vend të investimeve në laboratorë, kontroll të zinxhirit ushqimor dhe edukim të prodhuesve, qeveria ka zgjedhur propagandën si zgjidhje. Ai shtoi se edhe sot mungon një plan konkret për përmirësimin e sigurisë ushqimore, duke nënvizuar mungesën e strategjisë, transparencës dhe objektivave të matshëm.

Në përfundim, përfaqësuesi i opozitës deklaroi se përpjekjet për ta paraqitur sigurinë ushqimore si prioritet pas kaq vitesh, janë thjesht propagandë dhe nuk adresojnë problemet reale që prekin shëndetin e qytetarëve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related