Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasin me iniciale S.M., i akuzuar për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni”, si dhe shtetasen braziliane me iniciale L.J.D.S., e akuzuar për veprën penale “Prostitucioni”, sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal.
Sipas Prokurorisë, hetimet nisën pas një informacioni të përcjellë nga Ambasada e Brazilit në Tiranë, përmes të cilit kërkohej ndihmë për gjetjen e një shtetaseje braziliane, me të cilën familjarët kishin humbur kontaktet prej rreth një muaji.
Në bashkëpunim me Policinë Gjyqësore, organi i akuzës identifikoi personin që, sipas hetimeve, kishte pasur kontaktet e fundit me shtetasen braziliane dhe kreu veprime procedurale për sqarimin e rrethanave të çështjes.
Prokuroria bën me dije se gjatë hetimeve janë administruar deklarime, janë këqyrur pajisje celulare, janë analizuar komunikime elektronike dhe janë mbledhur prova të tjera materiale. Sipas organit të akuzës, këto prova tregojnë se shtetasja braziliane kishte hyrë në Shqipëri në shtator të vitit 2025 dhe kishte ushtruar prostitucion në disa zona të vendit.
Sipas akuzës, shtetasi S.M. dyshohet se ka organizuar takime me klientë, ka negociuar pagesat dhe ka përfituar financiarisht nga kjo veprimtari.
Prokuroria njofton se shtetasja braziliane u gjet gjatë ndërhyrjes së Policisë Gjyqësore në një banesë në fshatin Karbunarë, në Bashkinë Lushnjë.
Organi i akuzës deklaron se mbetet i angazhuar në hetimin dhe ndjekjen penale të veprave që lidhen me shfrytëzimin e personave dhe bashkëpunon me institucionet ligjzbatuese vendase dhe partnerët ndërkombëtarë për identifikimin dhe mbrojtjen e viktimave të mundshme.
Sqarim: Procedurat gjyqësore janë në vijim. Pretendimet e paraqitura nga organi i akuzës do të vlerësohen nga gjykata kompetente, ndërsa personat e përfshirë prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
