Eksploziv dhe pajisje aktivizimi pranë gazsjellësit Serbi–Hungari, autoritetet nisin hetimet

Data

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, ka ngritur alarmin për një kërcënim serioz ndaj infrastrukturës energjetike, pasi autoritetet zbuluan një sasi të madhe eksplozivi pranë kufirit me Hungarinë.

Sipas tij, gjatë një hetimi të zhvilluar nga strukturat ushtarake dhe policore, janë gjetur lëndë plasëse me fuqi të madhe shkatërruese, së bashku me pajisje për aktivizimin e tyre. Zbulimi është bërë pranë tubacionit të gazit Balkan Stream, në afërsi të zonës Velebit në veri të Vojvodinës.

Vuçiç bëri të ditur se për rastin ka informuar edhe kryeministrin hungarez Viktor Orbán, përmes një bisede telefonike, duke ndarë rezultatet paraprake të hetimeve.

Sipas autoriteteve, eksplozivi ishte vendosur në dy çanta shpine dhe përfshinte edhe fitila ndezës, çka sugjeron se mund të ishte gati për përdorim. Presidenti serb theksoi se një shpërthim i mundshëm do të kishte rrezikuar jetën e shumë njerëzve dhe do të kishte shkaktuar ndërprerje të furnizimit me gaz për Serbinë dhe Hungarinë.

“Është e qartë se lojërat gjeopolitike nuk do të na lënë rehat”, deklaroi Vuçiç, duke shtuar se autoritetet kanë të dhëna për personat e përfshirë dhe se hetimet po vijojnë intensivisht.

Ai paralajmëroi se çdo person i përfshirë në këtë akt do të përballet me ndëshkime të rënda, ndërsa nënvizoi se qëllimi i këtij veprimi dyshohet të ketë qenë dërgimi i një mesazhi politik.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related