Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtetasit Arlind Papa, Genc Demiro dheMigena Xibinaku, për përdorim të dokumenteve të falsifikuara si vëzhgues në zgjedhjet e datës 11 maj 2025.
Sipas organit të akuzës hetimet zbuluan se dokumenti i përdorur nga Arlind Pepa ishte fals, ndërsa dy të tjerët, përfshirë një punonjëse të KQZ-së (Migena Xibinaku) ndihmuan në sigurimin e tij.
Sipas Prokurorisë, nga hetimet mbi procedimin penal nr.3643, të datës 22.05.2025, rezultoi se shtetasi Arlind Pepa. ka marrë pjesë si vëzhgues në qendrën e votimit në shkollën ‘9-Vjeçare Vorë’ me dokument ‘badge’ të KQZ-së, i cili nga hetimet rezultoi i falsifikuar.
Në lidhje me ngjarjen, ky shtetas sqaroi se është Sekretar Organizativ i Partisë Socialiste dhe përveç kësaj qendre, kishte detyrë të vëzhgonte edhe 43 qendra të tjera votimi në Bashkinë Vorë. Ai shtoi se dokumenti si vëzhgues iu dha nga shtetasi Genc Demiro me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Qarkut Tiranë një ditë para zgjedhjeve.
Shtetasi Genc Demiro, pretendoi se e tërhoqi dokumentin ‘badge’ si vëzhgues nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndërkohë që rezulton se nuk ka firmosur ndonjë shkresë për këtë veprim. Hetimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, zbuluan se shtetasi Arlind Pepa. nuk ishte i regjistruar si vëzhgues në KQZ si dhe nuk kishte një dokument zyrtar të lëshuar nga ky institucion.
