Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas miratimit të rezolutës për Shqipërinë në Parlamentin Europian, ku u rrëzua amendamenti që lidhej me zhvillimet në zonat e Sazanit dhe Zvërnecit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e cilësoi votimin si një konfirmim të qëndrimit të institucioneve europiane ndaj projektit dhe kritikoi ashpër kundërshtarët e tij politikë dhe organizatorët e protestave që kanë kundërshtuar zhvillimet e planifikuara në zonën e Vjosë-Nartës.
Sipas kreut të qeverisë, amendamenti i propozuar ishte futur në mënyrë të padrejtë në rezolutën për Shqipërinë, ndërsa theksoi se shumica dërrmuese e eurodeputetëve e rrëzoi atë.
“Parlamenti Europian e ndau ‘shapin’ e stuhisë digjitale të dezinformimit nga ‘sheqeri’ i zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë, e cila nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin që europarlamentarët e rrëzuan me votën e shumicës dërrmuese”, shkroi Rama.
Kryeministri ngriti gjithashtu një pyetje ironike ndaj kritikëve të projektit, duke sugjeruar se vendimi i Parlamentit Europian rrëzon pretendimet e tyre.
“Tani ose është çmendur dhe korruptuar krejt Europa, që përmes Parlamentit të saj e vlerëson lart Shqipërinë dhe nxit anëtarësimin tonë sa më parë në BE, ose ka diçka që nuk shkon me ata që e nisën protestën me mbrojtjen e flamingove dhe po e përfundojnë si luftë për pushtet në emër të flamingove”, deklaroi ai.
Rama garantoi se zonat e mbrojtura do të vazhdojnë të ruhen sipas standardeve europiane, ndërsa zhvillimi i Zvërnecit do të ecë përpara vetëm mbi bazën e procedurave ligjore dhe vlerësimeve mjedisore.
“Në çdo rast flamingot do të mbrohen, Vjosë-Narta do të mbrohet dhe Zvërneci do të zhvillohet bazuar në një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis sipas standardeve të Bashkimit Europian”, theksoi kryeministri.
Deklarata e Ramës vjen në një moment kur protestat kundër projekteve turistike në zonat e mbrojtura vijojnë prej javësh dhe janë shndërruar në një debat të gjerë politik dhe publik mbi zhvillimin ekonomik, mbrojtjen e mjedisit dhe transparencën në vendimmarrje.
