Presidenti Begaj mesazh deputetëve në nisje të sesionit të ri parlamentar: Promovoni politikën e antikrimit dhe…

Data

Në prag të çeljes së sesionit të ri parlamentar Presidenti i Republikës, Bajram Begaj iu drejtua dje me një mesazh deputetëve ku i kërkoi deputetëve të përqendrohen përpjekjet në objektivin kryesor kombëtar, atë të anëtarësimit në BE. Begaj i kërkon të përmbushen në kohë masat ligjore të përfshira në Planin Kombëtar të Integrimit Evropian, si dhe inkurajon Kuvendin të promovojë politikën e antikrimit dhe antikorrupsionit. Mbështesni institucionet e drejtësisë dhe agjencitë e zbatimit të ligjit duke forcuar kapacitetet e tyre. “Të nderuar deputetë, Një çështje që ka të bëjë sa me integrimin evropian, aq edhe me zhvillimin e vendit, është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, një element që fatkeqësisht po kthehet në refrenin e gjithhershëm të çdo fjalimi.

Parlamenti duhet të mbështesë plotësisht reformën në drejtësi, institucionet tona të drejtësisë dhe agjencitë e zbatimit të ligjit, duke forcuar kapacitetet e tyre financiare, njerëzore dhe infrastrukturore. Inkurajoj Kuvendin të promovojë politikën e antikrimit dhe antikorrupsionit si një përballje reale me një të keqe që duhet ta luftojmë në çdo nivel e çdo fushë të këtij fenomeni gërryes për ekonominë dhe kërcënues për demokracinë. Të nderuar deputetë, Përgjegjësitë e sipërpërmendura shkojnë përtej agjendës sonë evropiane. Ato janë të domosdoshme që Shqipëria të lundrojë qetësisht e të ruajë drejtimin e saj në një botë globale plot me sfida nga më të ndryshmet, si sfidat e sigurisë, apo sociale dhe kulturore. Ato kërkojnë që ne të përditësojmë vazhdimisht strategjitë dhe kornizat tona ligjore për t’u përshtatur me ndryshimet gjeopolitike dhe zhvillimet e shpejta teknologjike. Kërcënimet klimatike dhe, në veçanti ato kibernetike, kërkojnë vëmendjen tonë të menjëhershme e të vazhdueshme. Ndërsa i afrohemi një viti të ri zgjedhor, ju bëj thirrje ta ushtroni mandatin tuaj me përgjegjësi edhe në këtë drejtim”, deklaroi Begaj.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related