Ish-drejtoresha e IKMT, Dallëndyshe Bici, është paraqitur këtë të martë në GJKKO.
Lajmi është konfirmuar nga gazetarja Klodiana Lala, ndërsa nga pamjet e publikuara, Bici shihet duke hyrë e vetme në ambientet e gjykatës.
Deri në këto momente, nuk ka informacion zyrtar mbi arsyen e paraqitjes së saj në Gjykatën e Posaçme. Nuk dihet nëse ajo është thirrur si person nën hetim, dëshmitare apo në një procedurë tjetër ligjore.
Dallëndyshe Bici u shkarkua nga detyra e kryeinspektores së IKMT-së në janar të këtij viti, pas rreth 18 muajsh në këtë post, ku ishte emëruar në korrik të vitit 2024. Pas largimit të saj, drejtimi i institucionit iu besua Adriatik Kupi.
Zhvillimi i sotëm vjen në një kohë kur institucionet e drejtësisë po intensifikojnë hetimet në nivele të ndryshme të administratës publike, ndërsa mbetet për t’u parë nëse paraqitja e Bicit lidhet me ndonjë çështje konkrete nën shqyrtim.
