Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga dy ministra të qeverisë së tij, priti të shtunën zëvendëskryeministrin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed Al Nahyan. Al-Nahyan ka mbërritur në vendin tonë me jahtin e tij superluksoz “Opera”, i ankoruar në ujërat e Dhërmiut. Më pas, një skaf e ka dërguar atë në portin e resortit “Kep Merli” në Sarandë, i shoqëruar edhe nga mjetet lundruese të Policisë. Aty Al-Nahyan – i cili është djali i themeluesit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Zayed bin Sultan Al Nahyan – është takuar me Ramën, ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku si dhe nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu.

Në foto shihet jahti i arabit në Porto Palermo, të cilit mesa duket i është vënë syri, pasi në këtë takim, sipas burimeve dyshohet se është diskutuar një marrëveshje për shfrytëzimin e një prej pronave më të rëndësishme ushtarake në bregdetin shqiptar. Ministri Pirro Vengu do të hartojë një projektvendim për heqjen e pronës nga zona ushtarake, projekt që më pas do t’i kalojë presidentit Bajram Begaj për miratim dhe më pas qeverisë për vendimmarrje.
