Kryeministri Edi Rama ka shpallur një seri ndryshimesh të mundshme në administratën lokale dhe strukturat e kontrollit të territorit, duke përfshirë ndërhyrje në Institucionet e Mbrojtjes të Territorit (IMT) dhe policitë bashkiake. Rama përmes një dalje në Facebook ditën e djeshme tha se këto reforma synojnë të sjellin përmirësime të ndjeshme në menaxhimin e territorit, ndërkohë që theksoi se do të ketë një fokus të veçantë në përdorimin e teknologjisë për të rritur efikasitetin dhe transparencën në këto struktura. “Do të ketë një përshkallëzim të lëvizjeve me drejtuesit në bashki dhe gjithashtu lëvizje të ngjashme edhe në strukturat e kontrollit të territorit. Kjo përfshin të famshmet IMT dhe policitë bashkiake, ku do të ketë reforma të mëdha. Por, qendra e këtyre ndryshimeve do të jetë teknologjia”, deklaroi Rama.
Ky plan përfshin një ristrukturim të mundshëm të institucioneve, me synim modernizimin dhe rritjen e kapaciteteve të tyre për të përballuar sfidat e menaxhimit të territorit dhe urbanizimin në rritje. Përdorimi i teknologjisë është theksuar si një element kyç për të avancuar këtë proces dhe për të siguruar më shumë kontroll dhe eficiencë në punën e këtyre institucioneve. Ky paralajmërim nga Rama vjen disa javë pas urdhrit të shkarkimeve në bashkitë e vendit. Nga ana tjetër thuhet sepritet të drejtohet vëmendja dhe te mënyra e funksionimit të institucioneve kyçe si Doganat, Tatimet, Hipotekat dhe agjencitë e tjera me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën ekonomike të vendit të cilat janë identifikuar si problematike në shërbimet ndaj qytetarëve dhe në menaxhimin e fondeve publike. Sinjalet janë se do të ketë “prerje kokash” edhe në këto institucione. Mbetet të shohim se çfarë plani ka shefi i qeverisë pasi deri më tani ai ka qenë përqëndruar në lirimin e hapësirave publike, të zaptuara nga pronat private, që shteti tani u kujtua se ato ekzistonin.
