Biznesmeni Ermal Beqiri, një nga eksponentët më të fuqishëm në tregun shqiptar të teknologjisë, ka rënë në vëmendjen e SPAK. Beqiri është një emër i njohur në industrinë e IT-së për lidhjet e tij me institucionet publike dhe përfitimin e një sërë kontratash shtetërore, veçanërisht nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) të denoncuara në mënyrë të vazhdueshme nga gazeta “SOT”. Kujtojmë se oficerë të BKH kanë ushtruar kontrolle në ambientet e kompanisë së tij, “Soft & Solution”. Beqiri nuk është një figurë e izoluar në këtë rrjet. Në artikullin e kaluar raportuam se emri i tij është i ndërlidhur ngushtësisht me një tjetër sipërmarrës të sektorit të IT-së, Ergys Agasi, i cili zotëron kompaninë “EA Solution”. Agasi ka fituar shpejt terren në tregun e teknologjisë në Shqipëri, duke siguruar gjithashtu kontrata publike me vlera të mëdha, që kanë ngritur pikëpyetje mbi rregullsinë dhe transparencën e këtyre procedurave.
Tenderat e përfituar nga dyshja Ergys Agasi – Ermal Beqiri
Nga burimet mediatike dhe të dhënat të publikuara në platformën e prokurimeve, del një skemë e qartë bashkëpunimi mes kompanive EA Solution (në pronësi të Ergys Agasit) dhe Soft & Solution (në pronësi të Ermal Beqirit), të cilat kanë përfituar dhjetëra kontrata publike me vlera të mëdha, kryesisht nga AKSHI dhe institucione të tjera shtetërore.
