Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, deklaroi se nuk do të largohet nga PD, duke theksuar se qëllimi i tij i vetëm është ta bëjë partinë fituese në zgjedhjet e ardhshme.
Në një intervistë televizive, Salianji u shpreh se opozita duhet të ishte e fokusuar që tani në përgatitjen për zgjedhjet vendore të vitit 2027, duke prezantuar kandidatët dhe ofertën politike për qytetarët.
“Sot duhet të kishim 61 kandidatë që të njiheshin me qytetarët dhe të jepnin ofertën e tyre politike. Nuk mund të presim edhe një vit dhe pastaj të ankohemi për humbje”, tha ai.
Salianji shtoi se shpreson që kryeministri Edi Rama të largohet sa më shpejt nga pushteti, por paralajmëroi se nëse kjo nuk arrihet nga lidershipi aktual i Partia Demokratike, ai do të vazhdojë takimet me demokratët dhe do të dalë me një dokument publik për ndryshimin dhe demokratizimin e partisë.
“Do të vazhdoj takimet me demokratët, do të flas publikisht dhe do të propozoj se si duhet të ndryshojë PD për të qenë fituese”, u shpreh Salianji.
