Është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare ish-zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Bujqësisë, Zyhdi Pepa. Lajmi u bë i ditur nga drejtues të Partisë Socialiste, të cilët shprehën ngushëllime për familjen dhe të afërmit e tij.
Zyhdi Pepa ka qenë një figurë e njohur e jetës politike shqiptare në vitet e tranzicionit. Ai ka përfaqësuar Partinë Socialiste si deputet në dy legjislatura dhe ka mbajtur poste të rëndësishme ekzekutive, përfshirë atë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Bujqësisë.
Pepa shërbeu si ministër i Bujqësisë gjatë viteve 1991–1992, në një periudhë mjaft të vështirë për vendin, kur Shqipëria po kalonte proceset e para të reformimit ekonomik, privatizimit të tokës dhe riorganizimit të institucioneve shtetërore pas rënies së regjimit komunist.
Në të njëjtën kohë, ai ushtroi edhe detyrën e zëvendëskryeministrit, duke qenë pjesë e qeverive të stabilitetit që synonin menaxhimin e tranzicionit politik dhe institucional, si dhe përgatitjen e zgjedhjeve të lira.
Zyhdi Pepa ishte gjithashtu pedagog dhe konsiderohej nga bashkëpunëtorët si një figurë me kontribut të rëndësishëm në jetën akademike dhe politike të vendit.
U prehsh në paqe.
