Në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm është hedhur shorti për vulën e Partisë Demokratike. Gazeta “SOT” mësoi se Alma Ahmeti, Elona Toro dhe Iliba Bizati janë gjyqtaret e Apelit që do të vendosin për fatin e organeve drejtuese të PD. Shorti për trupën e re gjyqësore është hedhur vetëm 24 orë, pasi dy ditë më parë Gjykata e Lartë publikoi vendimin e arsyetuar, një vendim, i cili i ka bërë optimistë demokratët e drejtuar nga Sali Berisha.
Kush janë gjyqtarët?
Elona Toro: Gjyqtarja Elona Toro është konfirmuar në detyrë sa i takon procesit të vetingut. Pas ankimimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, trupa gjykuese ka vendosur që të lërë në fuqi vendimin Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke konfirmuar në detyrë Elona Toron.
Iliba Bezati: Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konfirmoi në detyre gjyqtaren e Gjykatës së Apelit Vlorë, Iliba Bezati. Gjatë seancës dëgjimore Komisioni i Pavarur i Kualifikimit përmbysi raportet negative të institucioneve ndihmëse për pasurinë dhe pastërtinë e figurës.
Alma Ahmeti: Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli muaj më parë vendimin për konfirmimin në detyrë të gjyqtares së Kukësit, Alma Ahmeti. Seanca për shpalljen e vendimit për subjektin e rivlerësimit Alma Ahmeti në Tiranë më 15 shkurt 2021. Ahmeti ka filluar karrierën në vitin 2009 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ajo është transferuar në vitin 2010 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës. Në vitin 2016 ajo është emëruar ndihmëse ligjore në Gjykatën e Lartë. Ajo disponon një pasuri familjare modeste dhe nga hetimi administrativ i KPK-së nuk u vërejtën probleme as për pasurinë dhe as për pastërtinë e figurës apo aftësive profesionale. Trupa gjykuese përbëhej nga Pamela Qirko kryesuese, Firdes Shuli relatore dhe Etleda Çiftja anëtare. Subjekti i rivlerësimit u përfaqësua në proces nga avokatja Romina Zano.
Reagon Pampuri
Ndërkohë deputetja e Partisë Demokratike Orjola Pampuri, ka reaguar dje pas caktimit të trupës gjykuese, që do të shqyrtojë çështjen e vulës në Gjykatën e Apelit Tiranë. Pampuri i bën thirrje gjyqtarëve ta trajtojnë çështjen me prioritet dhe profesionalizëm. Deputetja e PD-së thekson se është koha të marrë fund mbajtja peng e partisë për interesa personale. Kujtojmë se gjyqtarët që do të shqyrtojnë çështjen janë Alma Ahmeti, Iliba Bezati dhe Elona Toro. “Pas hedhjes së shortit dhe përcaktimit të trupës gjykuese që do të shqyrtojë në themel çështjen e PD-së, ne i kërkojmë Magjistratëve të Apelit që ta trajtojnë atë me prioritet dhe me profesionalizëm, si interes për demokracinë dhe vendin dhe jo thjesht si një çështje të brendshme partiake. Pas më shumë se dy vitesh zvarritjesh të pakuptimta dhe duke qenë se jemi një vit para zgjedhjeve të përgjithshme, është koha që ky diskutim të marrë fund dhe që Partia Demokratike të vijojë misionin e saj për t’u shndërruar në shpresën që presin shqiptarët. Koha kur për interesat personale kërkohet të mbahen peng një parti politike duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë. Dhënia fund e diskutimit të statusit të saj do ta çlirojë PD nga pengmarrja dhe nga përdorimi për interesa vetjake, dhe do ti japë mundësi të jetë alternativa e duhur për njerëzit”, shkroi Pampuri në rrjetet sociale.
Kthupi: Vula e PD i takon Partisë Demokratike zyrtare
Ndërsa sekretari për Reformën Zgjedhore në PD, Rezart Kthupi deklaroi dje në një media se vula e PD-së i takon Partisë Demokratike zyrtare. Kthupi theksoi se Kuvendi i Rithemelimit ka pafundësi shkeljesh, ndaj vula duhet që të jetë e Partisë Demokratike zyrtare. “Jemi të bindur se do ta marrim vulën. Ne jemi pala parimore. Bashkëkryetarin e zgjedh partia, jo deputetët. Pavarësisht se pala tjetër thuhet se ka shumicën dhe hyn edhe në dialog me kryeministrin për shumë gjëra, nuk mund të zgjidhesh dot kryetar i grupit parlamentar, duke mos përfaqësuar parti. Kuvendi i mbledhur nga Rithemelimi është i parregullt dhe për pasojë nuk ka pse të pretendojë të ketë vulën. Kuvendi i Rithemelimit ka pafundësi shkeljesh”, u shpreh Kthupi.
Flet Ivi Kaso
Nga ana tjetër, Sekretari për Çështjet Ligjore i Rithemilimit, Ivi Kaso, shpjegoi dje për mediat se të dyja arsyet që motivuan Apelin të kthejë çështjen për rishqyrtim, janë rrëzuar nga kolegji civil. “Në radhë të parë papajtueshmëria sipas gjykatës së apelit e gjyqtarit Zhukri për të shqyrtuar këtë çështje dhe një problem procedurial, sipas gjykatës së apelit gjithmonë, i cili e bënte të cenueshme këtë vendimmarrje. Të dyja këto arsye nuk qëndronin, të dyja këto arsye ishin arsye të stisura dhe për më tepër ishin arsye të cilat nuk ia kishte parashtruar askush gjykatës së apelit nëpërmjet ankimit pra gjykata e apelit kishte dalë tej kompetencave të saj në shqyrtimin e kësaj çështje”, deklaroi ai. Sipas Ivi Kasos, kanë kaluar dy vite nga vendimi i gjykatës së shkallës së parë, e cila njohu si të ligjshëm kuvendin e 11 dhjetorit dhe tashmë apeli pa vonesë duhet të shprehet për këtë çështje. “Jemi besimplotë që pas kësaj vendimmarrje të rëndësishme të gjykatës së lartë, e cila përcakton edhe linjat guidë të cilat gjykata e apelit duhet të ketë parasysh në shqyrtimin e kësaj çështje rishtas me një trupë tjetër gjykuese, kësaj odiseje për fat të mirë po I vjen fundi dhe shumë shpejt demokratët do të kenë certifikimin përfundimtar të organeve të veta drejtuese të PD, simbolet e reja të PD të cilat ata i kanë zgjedhur me vullnetin e tyre të lirë në kuvendin e 11 dhjetorit”, nënvizoi Kaso.
