Në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar të Punës për vitin 2026, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, vuri theksin te dialogu social si një shtyllë themelore e mirëqeverisjes dhe ndërtimit të politikave të qëndrueshme në tregun e punës.
Duke drejtuar mbledhjen e parë të Këshillit të rikonstituar me mandatin e ri, ministrja u shpreh se dialogu social është një instrument kyç për hartimin e politikave në fushën e punësimit, sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe për zhvillimin afatgjatë të tregut të punës.
Sipas saj, rikonstituimi i Këshillit Kombëtar të Punës dhe mbledhja e tij që në muajin janar përbëjnë një hap konkret drejt forcimit të bashkëpunimit mes qeverisë, punëdhënësve dhe punëmarrësve.
Gjatë mbledhjes u diskutua funksionimi i Këshillit për vitin 2026, si dhe prioritetet kryesore që lidhen me reformat në tregun e punës në kuadër të procesit të integrimit europian. Një fokus i veçantë iu kushtua përafrimit të legjislacionit shqiptar me direktivat e Bashkimit Europian, përfshirë rishikimin e Kodit të Punës dhe legjislacionit shoqërues, përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe konsultativ.
Po ashtu, u trajtua nevoja për modernizimin e politikave aktive të punësimit, digjitalizimin e shërbimeve, forcimin e garancisë rinore dhe krijimin e Observatorit të Tregut të Punës, si një instrument për politika më të bazuara në të dhëna dhe më transparente për publikun.
Në kuadër të dialogut social, u diskutuan edhe çështje me rëndësi të veçantë për punëmarrësit dhe ekonominë, si paga minimale, reforma e pensioneve, statusi i minatorit, si dhe sfidat që lidhen me mungesën e fuqisë punëtore dhe migracionin.
Ministrja Ibrahimaj theksoi se qeveria do të vijojë bashkëpunimin me të gjitha palët e interesit për të ndërtuar reforma të qëndrueshme dhe të zbatueshme, duke e kthyer Këshillin Kombëtar të Punës në një hapësirë reale dialogu dhe vendimmarrjeje të përbashkët.
“Dialogu i hapur, i vazhdueshëm dhe i sinqertë është garancia më e mirë për politika që i shërbejnë zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies së punëmarrësve,” u shpreh ministrja.
