Protesta qytetare që kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë vijon edhe sot, duke hyrë në ditën e saj të 27-të me një tjetër tubim të paralajmëruar në qendër të Tiranës.
Si çdo mbrëmje gjatë javëve të fundit, qytetarët pritet të mblidhen përpara godinës së Kryeministrisë, ku do të përsërisin kërkesat e tyre për ndryshim politik, llogaridhënie dhe reforma institucionale.
Sipas organizatorëve dhe pjesëmarrësve, protesta ka tejkaluar tashmë kauzën fillestare dhe është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër korrupsionit, keqqeverisjes dhe modelit aktual të qeverisjes. Ata kërkojnë jo vetëm largimin e qeverisë, por edhe reformimin e sistemit politik, të cilin e konsiderojnë të dominuar prej dekadash nga e njëjta klasë politike.
Tubimet zhvillohen çdo mbrëmje me grumbullimin e protestuesve përpara Kryeministrisë, për t’u pasuar më pas nga marshime në rrugët kryesore të kryeqytetit. Gjatë protestave mbahen pankarta, brohoriten thirrje dhe mbahen fjalime publike.
Pjesëmarrësit theksojnë se protesta zhvillohet në mënyrë paqësore dhe e konsiderojnë atë një ushtrim të së drejtës demokratike për të shprehur pakënaqësitë dhe kërkesat e tyre.
Qytetarët shprehen se synojnë një ndryshim të thellë politik dhe institucional, duke kërkuar një model të ri qeverisjeje dhe përfaqësimi për vendin.
