Policia e Shtetit dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar kanë intensifikuar bashkëpunimin për monitorimin inteligjent të akseve rrugore në vend, me synim rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e shkeljeve.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, i shoqëruar nga drejtues të Policisë Rrugore dhe Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, zhvilloi një vizitë në Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Trafikut.
Në takim, drejtuesi i ARRSH-së, Ami Kozeli, prezantoi mënyrën e funksionimit të sistemit të monitorimit dhe mundësitë e bashkëpunimit institucional për përdorimin e kamerave dhe radarëve inteligjentë në akset rrugore dhe tunele.
Sipas autoriteteve, pamjet dhe të dhënat e siguruara nga sistemi do të përdoren jo vetëm për evidentimin dhe ndëshkimin e shkeljeve të qarkullimit rrugor, por edhe për rritjen e parametrave të sigurisë publike, parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe dokumentimin e tyre.
Gjatë vizitës, Hita theksoi se përdorimi i teknologjisë moderne dhe minimizimi i kontaktit të drejtpërdrejtë mes efektivëve dhe drejtuesve të mjeteve do të ndikojë pozitivisht në rritjen e transparencës dhe forcimin e imazhit të Policisë së Shtetit.
Nga ana tjetër, Kozeli vlerësoi koordinimin ndërinstitucional si një hap të rëndësishëm për përmirësimin e standardeve të monitorimit të trafikut dhe sigurisë në rrugët e vendit.
Në përfundim të takimit, palët ranë dakord për finalizimin e bashkëpunimit teknik dhe kalibrimin e radarëve në akset kryesore rrugore, me qëllim që të dhënat e përftuara të përdoren për verifikimin dhe ndëshkimin administrativ të shkeljeve.
