Burgjet dhe paraburgimet në Shqipëri duket se po bëhen më të rrezikshme për shëndetin e ish-zyrtarëve sesa korrupsioni për financat publike. Pas ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqajt, që prej ditësh endet mes Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë (QSUT-së) dhe paraburgimit si pasojë e një infeksioni misterioz, radhën për “hospitalizim urgjent” e mori edhe Erion Veliaj. Kryebashkiaku i Tiranës mësohet se është transportuar dje me 30 policë në spitalin e Durrësit për analiza, duke sjellë më shumë truproja sesa pacientë. Në dhomat e spitalit u bë “evakuimi i madh”, ku pacientët i nxorën jashtë, pasi atje shkoi Veliaj.
Shpërthejnë akuzat nga Mero Baze
Dje, në një reagim të fortë publik, gazetari Mero Baze akuzon ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, për një akt të hapur linçimi ndaj Veliajt, të cilin e quan një nga figurat më me peshë të Partisë Socialiste, por tashmë nën një “sulm brutal dhe politik” nga brenda mazhorancës. “Bashkë me ta, edhe gjysma e BKH-së ishte zhvendosur në spital. Nuk dihet nëse kishin vendosur snajpera në taracë, por klinika ishte kthyer në gjendje lufte,” ironizon Baze në artikullin e tij duke përshkruar atmosferën që shoqëroi kolonoskopinë e Veliajt. Sipas gazetarit, kjo procedurë shëndetësore ishte refuzuar për dy javë nga autoritetet e burgjeve, pavarësisht urgjencës mjekësore dhe protokollit që Veliaj ndjek për shkak të historikut familjar me kancerin e zorrës së trashë.
