Ndryshimet e propozuara nga mazhoranca për nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, që kufizojnë mundësinë e pezullimit nga detyra të kryeministrit dhe anëtarëve të qeverisë gjatë hetimeve penale, po shihen me shqetësim nga Bashkimi Europian dhe ekspertë të fushës së integrimit.
Sipas një analize të publikuar nga BIRN, amendamenti i dorëzuar në Kuvend nga kryeministri Edi Rama vjen në një moment tensioni mes qeverisë dhe Prokurorisë së Posaçme (SPAK), pas hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë, përfshirë zv/kryeministren Belinda Balluku. Propozimi synon që kryeministri dhe ministrat të mos preken nga masa e pezullimit si pjesë e një procedimi penal.
Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka theksuar se çdo nismë legjislative që lidhet me gjyqësorin duhet të jetë në përputhje me acquis të BE-së dhe standardet europiane, duke rikujtuar se sundimi i ligjit dhe pavarësia e institucioneve janë elemente thelbësore të procesit të zgjerimit.
Ekspertët paralajmërojnë se ndërhyrje të tilla mund të dëmtojnë progresin në negociata. Studiuesi i Shkencave Politike, Altin Gjeta, vlerëson se kufizimi i hapësirës së veprimit të drejtësisë ndaj zyrtarëve të lartë rrezikon të minojë legjitimitetin e procesit të integrimit. Sipas tij, progresi në kapitujt themelorë të negociatave lidhet drejtpërdrejt me funksionimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit në nivele të larta.
Edhe politologu Ermal Hasimja shprehet kritik, duke theksuar se ndryshime të tilla ligjore mund të kenë kosto politike dhe diplomatike. Ai argumenton se reforma në drejtësi përbën një nga shtyllat kryesore të procesit të anëtarësimit dhe çdo dobësim i saj mund të ngadalësojë apo komplikojë rrugën drejt BE-së.
Në këtë kontekst, amendamenti i propozuar po konsiderohet si një “vijë e kuqe” në raportet mes Tiranës dhe Brukselit, ndërsa zhvillimet e ardhshme në Kuvend pritet të ndiqen nga afër nga institucionet europiane.
