Analisti Poli Hoxha ka kritikuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama gjatë konferencës së fundit për shtyp, duke i cilësuar ato kontradiktore, sidomos për çështjet që lidhen me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe projektin e Porto Romanos.
I ftuar në një emision televiziv, Hoxha u shpreh se përpjekja e Ramës për të mbrojtur Ballukun mund të ketë pasoja edhe për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Sipas tij, kryeministri po rrezikon marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë në përpjekje për të mbrojtur ish-ministren e Infrastrukturës.
“Pyetja është çfarë e detyron një kryeministër që e ka paraqitur veten si lider global të sakrifikojë marrëdhëniet me ndërkombëtarët për një post si ai i zv/kryeministres. Sot u binda se Rama është ushtar i asaj që përfaqëson Belinda Balluku,” deklaroi Hoxha.
Ai shtoi se Rama ka sulmuar SPAK dhe ka paralajmëruar ndryshime në Kodin Penal, përfshirë edhe çështjen e shpërdorimit të detyrës, ndërkohë që sipas tij standardet europiane kërkojnë që kjo vepër të mbetet e dënueshme penalisht.
Hoxha përmendi gjithashtu projektin e Porto Romanos, duke theksuar se deklaratat e kryeministrit për këtë çështje kanë qenë të paqarta dhe kontradiktore.
Sipas analistit, këto zhvillime tregojnë tensionin politik që ka krijuar hetimi për disa nga projektet më të mëdha infrastrukturore në vend.
