“Vendimi është marrë, 22 janari është formal” – Berisha për Ballukun: Kushtetuesja po jep një vendim pas vdekjes, rruga e vetme është protesta

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se seanca që Gjykata Kushtetuese pritet të mbajë më 22 janar lidhur me masën e sigurisë ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku është thjesht formale, pasi vendimi real, sipas tij, është marrë që të premten.

Në një komunikim të drejtpërdrejtë me ndjekësit në rrjetet sociale, Berisha u shpreh se heqja e pezullimit nga detyra e Ballukut është një fakt i kryer dhe se çdo vendim i mëtejshëm i Kushtetueses nuk ka më asnjë vlerë juridike.

“Gjykata Kushtetuese e ka marrë vendimin. Ajo që do ndodhë më 22 janar është një vendim post-mortum, një vendim pas vdekjes, pa asnjë vlerë. Masa e sigurisë u hoq, vendimi u mor, Edi Rama fitoi”, deklaroi Berisha.

Ai akuzoi kryeministrin për presione dhe ndërhyrje të drejtpërdrejta mbi sistemin e drejtësisë, duke shtuar se pas këtij vendimi Rama ka intensifikuar sulmet ndaj gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura.

Sipas Berishës, në këto kushte, opozita nuk ka më rrugë tjetër përveç përballjes në rrugë përmes protestave.

“Tani ka vetëm një rrugë: protesta, rruga. Data 22 dhjetor është dita jonë. Ne nisim një betejë që nuk do ta ndalim. Të dalim të gjithë në protestë, për qeveri teknike dhe për fitoren e Partisë Demokratike”, u shpreh ai.

Gjatë komunikimit, Berisha komentoi edhe kërkesën e Shoqatës së Gjyqtarëve për rritjen e pagave, duke e cilësuar të drejtë dhe të bazuar në parimin e proporcionalitetit kushtetues.

Ai akuzoi kryeministrin se ka nisur sulme ndaj magjistratëve vetëm pse ata kërkojnë barazi në piramidën e pagave brenda sistemit të drejtësisë.

“Nëse kreu i SPAK paguhet me 7.300 euro në muaj, një rrogë që nuk e merr askush tjetër në Ballkan, atëherë kryetarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetueses nuk mund të paguhen më pak, madje as më pak se kryeministri”, tha Berisha.

Sipas tij, kërkesa e gjyqtarëve nuk është privilegj, por zbatim i Kushtetutës dhe i parimit të barazisë brenda sistemit.

Në përfundim, Berisha e cilësoi situatën si një moment kritik për demokracinë në vend, duke theksuar se beteja e opozitës do të vijojë pa ndërprerje.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related