Aksi Milot–Lezhë po përballet me fluks të lartë automjetesh në ditën e dytë të Vitit të Ri, duke shkaktuar trafik të rënduar dhe vonesa të konsiderueshme. Situata paraqitet më problematike në degëzimin e Fushë-Milotit, si edhe në hyrje të qytetit të Lezhës, ku qarkullimi është i ngadalësuar dhe në disa momente janë krijuar ndalesa të gjata.
Në rëndimin e trafikut ka ndikuar edhe moti i paqëndrueshëm, me reshje shiu gjatë gjithë ditës, i cili ka vështirësuar kushtet e lëvizjes dhe ka rritur rrezikun për aksidente rrugore.
Fluksi i automjeteve lidhet kryesisht me kthimin e qytetarëve pas festave të fundvitit, si dhe me lëvizjet drejt zonave malore dhe Malit të Zi.
Policia Rrugore ka shtuar praninë në terren, me efektivë të vendosur në disa pika përgjatë superstradës Milot–Lezhë, për të menaxhuar qarkullimin dhe për të lehtësuar lëvizjen e mjeteve. Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të automjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit, të ulin shpejtësinë dhe të tregojnë kujdes të shtuar për shkak të kushteve atmosferike.
