Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar mungesën e emrit dhe figurës së Lulzim Bashës nga klipi zyrtar i 35-vjetorit të themelimit të PD-së, duke deklaruar hapur se ish-kryetari i partisë nuk e meriton të përfaqësohet pozitivisht në historikun e saj.
I pyetur nga gazetarët pse zyra e PD nuk e përfshiu Bashën në videon përkujtimore, Berisha u shpreh se nëse klipi do të ishte realizuar prej tij personalisht, ai do ta kishte përfshirë Bashën, por me një simbol ndëshkues.
“Po ta kisha bërë unë atë klip, do ta kisha bërë ndryshe. Nëse do ta vendosja Lulzim Bashën, do t’i vija një kryq të kuq, sepse ai e dëmtoi opozitën shqiptare. Nuk them që nuk do të ishte fare, por do të ishte ashtu siç e meriton”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, drejtimi i PD-së nga Basha për tetë vite ka pasur pasoja të rënda për opozitën, duke çuar në dobësimin e saj politik dhe elektoral.
Në të njëjtën deklaratë, Berisha u ndal edhe te situata aktuale politike dhe institucionale, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për ndërhyrje të rënda dhe antikushtetuese në sistemin e drejtësisë, veçanërisht në lidhje me çështjen e pezullimit të zv.kryeministres Belinda Balluku.
Berisha krahasoi situatën aktuale me standardet e ndjekura gjatë qeverisjes së tij, duke përmendur rastet e Ilir Metës, Fatmir Mediut dhe Lulzim Bashës, të cilët sipas tij, dhanë dorëheqje ose hoqën imunitetin pa pritur kërkesa nga prokuroria.
“Në janar 2011, pas një videoje të manipuluar, Ilir Meta dha dorëheqjen dhe hoqi imunitetin pa ardhur asnjë kërkesë nga Prokuroria. Fatmir Mediu bëri të njëjtën gjë, Lulzim Basha dorëzoi mandatin. Ndërsa sot, Belinda Balluku as nuk jep dorëheqjen dhe as nuk shkarkohet”, tha Berisha.
Ai solli si shembull edhe shkarkimin e Ilir Rusmailit, duke theksuar se ndonëse u paraqit publikisht si dorëheqje, në realitet ishte një shkarkim për shkelje të rënda etike dhe presion institucional.
Në fund, Berisha ngriti alarmin për presione dhe kërcënime ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke deklaruar se sipas informacioneve që ai disponon, ndaj personelit të saj janë përdorur edhe mjete komprometuese për të ndikuar në vendimmarrje.
“Gjykata Kushtetuese ndodhet në ditët më të vështira të saj. Ka presione, kërcënime dhe tentativa për shantazh. Kjo është një situatë shumë e rëndë për shtetin e së drejtës”, përfundoi Berisha.
