Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, ka reaguar ashpër ndaj asaj që e cilëson si ndërhyrje direkte të kryeministrit Edi Rama në punën e drejtësisë, duke akuzuar se po përdoren artificë ligjore për të penguar arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
I ftuar në një emision televiziv, Baçi komentoi situatën politike dhe protestën e radhës së opozitës të paralajmëruar për datën 10 shkurt, duke theksuar se format dhe mënyrat e organizimit do të vendosen nga strukturat e Partisë Demokratike. Sipas tij, protestat do të jenë të vazhdueshme dhe gjithnjë e më të forta, derisa të ketë reagim real ndaj asaj që opozita e konsideron kapje të shtetit.
Por theksi kryesor i deklaratës së Baçit ishte te çështja e Belinda Ballukut. Ai u shpreh se kryeministri Rama ka hequr maskën edhe ndaj drejtësisë, të cilën më parë e quante sukses dhe arritje të qeverisë së tij.
“Rama sot del hapur kundër drejtësisë dhe e ndalon atë të bëjë punën e saj. Kemi fakte konkrete, kemi afera të dukshme dhe një zëvendëskryeministre që ka pasur në dorë më shumë se gjysmën e buxhetit të shtetit,” deklaroi Baçi.
Sipas tij, Prokuroria e Posaçme ka pasur prova të mjaftueshme dhe ka kërkuar arrestimin e Ballukut, por procesi është bllokuar qëllimisht përmes manovrave ligjore.
“Çështja po dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, nuk mblidhet Këshilli i Mandateve, dhe po luhet me afate për të fituar kohë. Qëllimi është i qartë: të mbahet Balluku pranë Ramës, sepse në momentin që ajo bie, i vjen radha vetë atij,” theksoi deputeti demokrat.
Baçi e cilësoi këtë situatë si provë të kapjes së institucioneve dhe si shembull të frikës së kryeministrit nga drejtësia, duke paralajmëruar se opozita nuk do të ndalet dhe se presioni qytetar do të rritet në javët në vijim.
