Plas skandali i Portit të Vlorës, ja si iu falën Samir Manes 57 mijë metra katror tokë, të implikuar 2 ministra, SPAK merr në dorëzim padinë për megaoligarkun e qeverisë

Data

Gazeta “SOT” prej disa muajsh ka denoncuar lidhjet e fshehta të politikës me biznesmenë të fuqishëm. Një nga këta ka qenë dhe megaoligarku Samir Mane, për të cilin nga skandalet që kemi publikuar rezulton se kryeministri Rama ka vendosur një shtet të tërë në dispozicion të tij në mënyrë që ai të pasurohet. Një nga këto skandale ka përfunduar në tryezën e Prokurorisë së Posaçme. Ditën e djeshme, Nisma Thurje ka dorëzuar në SPAK një kallëzim për koncesionin e Portit të Vlorës, Vlora Marina, duke kërkuar hetimin e dy ministrave dhe oligarkëve që janë pjesë e kësaj megaafere. Nga dosja që ka siguruar gazeta “SOT”, të rrezikuar janë ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, oligarku Samir Mane dhe Geront Çela.

Detaje nga dosja

Nisma Thurje kërkon nisjen e hetimit për zyrtarët e lartë publik të përfshirë në procedurat e miratimit të koncesionit të portit Marina Vlorës, si dhe të procedurave për dhënien e statusit investitor strategjik për Marina di Valona, duke përfituar transferimin e 57 mijë metrave katrorë truall publik në zonën pranë portit të Vlorës. Pano Soko nga Nisma Thurje ngriti dyshime se procedurat e dhënies së koncesionit për portin Marina Vlorë nga ana e Belinda Ballukut, si dhe dhënia e 57 mijë metra katrorë truall në pronësi publike janë bërë në kundërshtim me ligjin, duke shkelur barazinë në tendera dhe ka dëmtuar interesat e shtetit. Ai gjithashtu u shpreh se edhe Ministria e Financave përmes veprimeve dhe mosveprimeve të saj ka lejuar ndryshimin e aksionerëve që kanë fituar tenderin, duke ngritur dyshimet mbi një skemë me përfitues të fshehtë, ku disa kompani hyjnë në garë fiktivisht vetëm për përmbushjen e kritereve të kërkuara ekonomike, teknike dhe të eksperiencës, por largohen me të përfunduar procedurat konkuruese, duke ia lënë administrimin përfituesit real. “Shpallja fitues i tenderit për koncesionin e portit trajtohet si kusht për përfitimin e kontratës së qirasë simbolike 1 euro për truallin publik pranë portit të Vlorës. Por nisur nga koha e shpalljes së kësaj kontrate dhe dokumentet e tenderit, ngrihet dyshimi se ky informacion nuk ka qenë i ditur për të gjithë operatorët e interesuar, të cilët në kushtet e një informacioni më të plotë do të mund të kishin paraqitur ofertat e tyre në këtë tender. Duke vepruar në kundërshtim me parashikimet ligjore, këtu mund të jetë shkelur barazia e pjesëmarrjes në tendera publike, si dhe t’i jetë shkaktuar dëm interesave të ligjshëm të shtetit. Së dyti, nisur edhe nga koinçidimi i dy kontratave në kohë, vlen për tu hetuar nëse operatorët e përfshirë në këtë tender publik kanë patur informacion të privilegjuar mbi rrethanat e plota të tenderit, çka përbën vepër penale. Së treti, duhet hetuar nëse veprimet e ndryshimit të pronësisë së subjektit Marina Residences, bien ndesh me dispozitat e Ligjit 125/2013. Së treti, vlen për tu hetuar kush kanë qenë motivet që i kanë shtyrë zyrtarët publik të përfshirë në këto procedura që të mos shpallin një tender të ri kur ndryshuan kushtet e tenderit, ndryshuan tekstin kontratave të miratuara, dhe lejuan ndryshimin e pronësisë së operatorëve të përfshirë në tender. Një hetim i tillë do të mund të vërtetojë nëse janë kryer veprat penale të korrupsionit.” thuhet ndër të tjera në padinë e “Nismës Thurje”. Ata i shprehin gatishmërinë SPAK që të bashkëpunojnë meta në çdo kohë për zbardhjen e mëtejshme të kësaj çështjeje, në mbrojtje të interesit publik.

Si ja fali Edi Rama Samir Manes Portin e Vlorës

Edhe pse në portin e Vlorës janë bërë investime prej 12.3 milionë eurosh për rehabilitimin e terminalit të pasagjerëve dhe dy moleve, qeveria Rama vendosi ta zhvendosë portin në një zonë tjetër, duke nxitur kompanitë që të hidhnin sytë drejt këtij investimi. Me anë të një procesi konkurrimi, porti i Vlorës iu dha me koncesion katër kompanive dhe rreth 57 mijë metra katrorë tokë në vlerën 1 euro. Qeveria shqiptare kësaj here nuk nënshkruan thjesht një koncesion abuziv, por edhe fal një pjesë të konsiderueshme nën justifikimin e “investitorit strategjik”. Sipas një logjike aspak zhvillimore, këto kompani parashikojnë të ndërtojnë apartamente dhe hotele, me kushtin e vetëm që të punësojnë 100 punonjës. “Shqipëria 1 euro” është shitur si politikë lehtësuese për biznese që krijojnë rritje ekonomike, ndërkohë këto kompani kanë si qëllim vetëm ndërtimin dhe shitjen. Këto ndërtime jo vetëm që janë elementë të një modeli të paqëndrueshëm zhvillimi, por nga ana tjetër buxheti i shtetit nuk do të ketë asnjë përfitim prej tyre, sepse lekët shkojnë në xhepat e oligarkëve. Për t’u theksuar është edhe fakti që, pas përfundimit të procesit të prokurimit për dhënien me koncesion të portit, dy nga kompanitë hoqën dorë nga aksionet e tyre dhe në qershor të vitit 2022 në lojë hyri Balfin Group. Ky ndryshim i aksionarëve dhe shitja e aksioneve me vlera minimale ngjallin dyshime të arsyeshme se proceset janë fiktive dhe spekuluese. Dy kompanitë e mbetura, në pronësi të Samir Manes dhe Geront Çelës, do të ndërtojnë marinën turistike dhe një kompleks luksoz rezidencial të quajtur “Vlora Marina”. Sipas kontratës, këto kompani do të kenë marrëdhënie kontraktuale qiramarrjeje me shtetin shqiptar për 20 vjet dhe do të investojnë 9.8 miliardë lekë mbi këtë truall. Megjithatë, ortakët e kompanisë marrin përsipër vetëm një pjesë të investimit, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet nga blerësit e apartamenteve dhe kredia bankare. Këto kompani kanë filluar të shesin apartamente nga trualli, i cili vazhdon të jetë pronë shtetërore e dhënë me qira.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related