Një 34-vjeçar është arrestuar në Elbasan, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Kosovës, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, arrestimi u krye nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Elbasan, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Cërrik. I ndaluari është shtetasi A. S., 34 vjeç, banues në Cërrik.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata Themelore e Pejës i kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për veprat penale “Kultivimi i narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet kosovare, ka nisur procedurat për ekstradimin e 34-vjeçarit drejt Kosovës, ku do të përballet me drejtësinë për akuzat që rëndojnë ndaj tij.
