Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar ashpër lidhur me kushtet e paraburgimit të ish-presidentit Ilir Meta, duke deklaruar se atij i është mohuar edhe e drejta themelore për të komunikuar, në mënyrë që sipas tij e tejkalon edhe trajtimin e opozitarit rus Alexei Navalny nga regjimi i Vladimir Putinit.
Në një reagim publik, Blushi thekson se Meta ndodhet në një izolim ekstrem, i privuar nga liria e shprehjes, dhe është ndëshkuar dy herë vetëm pse ka arritur të komunikojë në mënyrë indirekte me gazetarët.
“Me urdhër të Edi Ramës, Ilir Metës i është ndaluar liria e fjalës. Ky është një akt i paprecedentë dhe politikisht i motivuar”, shprehet Blushi.
Ai shton se, ndryshe nga Shqipëria, edhe në kushtet më të ashpra të burgimit në Rusi, Alexei Navalny nuk u privua kurrë nga e drejta për të folur dhe për të denoncuar publikisht regjimin që e mbante të burgosur.
“Kur Tirana sillet më keq se Kremlini, çdo retorikë për integrim europian bie dhe shndërrohet në hipokrizi”, thekson Blushi.
Sipas tij, moszbatimi i 9 rekomandimeve të Avokatit të Popullit është provë e qartë se ndalimi, hetimi dhe burgosja e Ilir Metës janë akte politike kriminale, të diktuara drejtpërdrejt nga vullneti i kryeministrit Edi Rama.
Blushi nënvizon se respektimi i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut nuk është çështje vullneti politik, por një detyrim ligjor i panegociueshëm për shtetin shqiptar.
“Beteja për lirinë e Ilir Metës nuk është thjesht betejë për një lider politik, por për liritë, të drejtat themelore dhe dinjitetin njerëzor të çdo qytetari shqiptar”, shprehet ai.
Në përfundim, Blushi thekson se përballë një drejtësie të politizuar dhe të kontrolluar nga pushteti, nuk vihet në rrezik vetëm një figurë politike, por vetë parimi i shtetit të së drejtës.
“Kjo nuk është thjesht një përplasje politike, por një luftë për demokraci, për shtetin e së drejtës dhe për Shqipërinë europiane që qytetarët meritojnë”, përfundon reagimi.
