PL: Shëndetësia “falas” është mashtrim, shqiptarët po varfërohen për t’u kuruar

Data

Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu, ngriti alarmin për gjendjen e rëndë të sistemit shëndetësor në Shqipëri, duke e cilësuar situatën si një krizë serioze kombëtare që rrezikon drejtpërdrejt shëndetin dhe sigurinë ekonomike të qytetarëve.

Në një deklaratë për mediat, Haxhiu u shpreh se shëndetësia shqiptare është kthyer në viktimë të propagandës qeveritare dhe keqmenaxhimit, ndërsa mungesat në shërbime, nënfinancimi kronik dhe dështimi i skemave publike po e çojnë sektorin drejt kolapsit.

Duke iu referuar anketës “Securimetri 2025” të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, ajo theksoi se Shqipëria renditet ndër vendet me barrën më të lartë të shpenzimeve direkte për shëndetin në rajon. Sipas të dhënave, mbi 84% e shqiptarëve paguajnë nga xhepi për shërbime shëndetësore, pavarësisht se kontribuojnë përmes taksave dhe sigurimeve.

Sipas Haxhiut, 57% e familjeve shqiptare shpenzojnë nga 1% deri në 10% të të ardhurave për vizita dhe barna, përqindja më e lartë në Ballkanin Perëndimor, ndërsa 27% e familjeve shpenzojnë mbi 10% të të ardhurave, nivel që Organizata Botërore e Shëndetësisë e konsideron si prag varfërimi.

“Vetëm 9% e familjeve arrijnë të mbajnë shpenzimet shëndetësore nën 1% të të ardhurave. Ky është treguesi më i qartë se shëndetësia ‘falas’ ekziston vetëm në sloganet politike, jo në realitetin e qytetarëve”, u shpreh ajo.

Haxhiu theksoi se lista e barnave të rimbursueshme është e kufizuar, sistemi parësor i dobët dhe investimet publike nuk përputhen me nevojat reale të pacientëve. Sipas saj, fondet publike janë orientuar drejt kontratave dhe skemave që nuk kanë përmirësuar jetën e qytetarëve.

Në përfundim, Partia e Lirisë kërkoi reforma të thella që vendosin shëndetin publik në qendër të politikave shtetërore, duke theksuar se shëndetësia është një e drejtë themelore dhe jo luks.

“Shqiptarët meritojnë një sistem shëndetësor që i mbron, jo një sistem që i detyron të paguajnë për të mbijetuar”, përfundoi Haxhiu.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related